Këngëtarja Dafina Zeqiri reagoi pas publikimit në rrjetet sociale të disa videove ku banoret e Big Brother VIP Kosova 4, Benita Zena dhe Alba Pollozhani, duket se intimidojnë dhe bullizojnë banoren më të re, Elijona Binakaj.
Pamjet kanë ngjallur reagime të shumta dhe çuan në diskutime mbi mënyrën si trajtohen pjesëmarrësit brenda formatit, veçanërisht kur sjelljet agresive shfaqen si formë “argëtimi”.
Dafina, e cila më herët ka shprehur qëndrime të forta kundër dhunës dhe bullizmit, e quajti situatën të papranueshme. Në një koment në rrjetet sociale ajo shkroi: “Është e tmerrshme që Big Brother lejohet ende me ekzistu! Kur bullizimin, dhunën fizike dhe psikike e shfaqin si argëtim. TV duhet të jetë i sigurt për fëmijët, jo të normalizojë dhunën. Ku po shkon ky vend që këtë e lejon vit pas viti?”
Reagimi i saj mori dhjetëra pëlqime dhe u shpërnda gjerësisht. E pyetur nga një ndjekës pse institucionet nuk veprojnë, Dafina shtoi: “Më duket kot të flasim kur kryesorët e shtetit nuk marrin masa. Besoj që i shohin reagimet e të gjithëve, apo jo?”
Komentet e saj rikthyen debatin për rolin e televizionit në normalizimin e sjelljeve agresive dhe për përgjegjësinë e platformave mediale dhe institucioneve shtetërore në mbrojtje të të rinjve dhe standardeve etike.
Big Brother VIP Kosova ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me kritikat e fundit. /Telegrafi/