Daily Mail dhe kompania e saj, Daily Mail and General Trust (DMGT), kanë rënë dakord për një marrëveshje prej 500 milionë funtesh (568,850 euro) për blerjen e Telegraph Media Group.
DMGT po blen gazetën Telegraph nga RedBird IMI, pas një përpjekjeje blerjeje nga një firmë investimesh e mbështetur nga Abu Dhabi që u bllokua më parë nga qeveria konservatore në detyrë. Të dyja palët kanë hyrë në një periudhe bisedimesh ekskluzive për të përfunduar marrëveshjen dhe për të përgatitur dorëzimet rregullatore, të cilat pritet të ndodhin shpejt.
Sipas DMGT, marrëveshja do t’u japë punonjësve të Telegraph “siguri dhe besim të shumëpritur” pas një procesi të gjatë të marrjes në dorëzim. Kryetari i DMGT, Lord Rothermere, tha: “E kam admiruar prej kohësh Daily Telegraph. Unë dhe familja ime kemi një dashuri të pafundme për gazetat dhe për gazetarët që i bëjnë ato. The Daily Telegraph është gazeta më e madhe dhe me cilësinë më të mirë në Britani dhe unë jam rritur duke e respektuar atë. Ka një histori të jashtëzakonshme dhe ka luajtur një rol jetësor në formësimin e debatit kombëtar të Britanisë gjatë shumë dekadave.”
Blerja do ta bëjë Telegraph pjesë të grupit mediatik të DMGT-së, ku përfshihen edhe Metro, The i Paper dhe New Scientist. Grupi thotë se do të “investojë ndjeshëm” në Telegraph dhe do të përshpejtojë zgjerimin e saj ndërkombëtar, me një fokus të veçantë në SHBA. Po ashtu theksohet se gazeta Telegraph do të qëndrojë e pavarur nga ana editoriale ndaj titujve të tjerë të DMGT.
Burimi: Telegrafi