Autoritetet franceze prej muajsh përpiqen të përgatitin publikun për sakrificat që mund të kërkohen në rast lufte, por mesazhi duket se nuk po arrin tek një pjesë e popullatës që ndjehet larg konflikteve në Ukrainë dhe e mbrojtur nga frika bërthamore.
Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë franceze, gjenerali Fabien Mandon, përforcoi këtë përpjekje të martën, duke deklaruar në Kongresin e Kryetarëve të Bashkive të Francës se vendi duhet të rifitojë forcën e shpirtit për të pranuar dhimbjen që të mbrojë atë që jemi dhe të jetë i gatshëm të pranojë humbjen e fëmijëve të tij.
Deklarata e gjeneralit solli reagime të forta në debatet publike dhe në media. Partitë opozitare akuzuan presidentin Emmanuel Macron se po përgatit një luftë kundër Rusisë.
Grupi parlamentar La France Insoumise (LFI) tha se një kryetar i Shtabit të Përgjithshëm nuk duhet të bëjë një deklaratë të tillë. Deputeti Fabien Roussel nga Partia Komuniste pyeti nëse nuk mjaftojnë 51 mijë monumentet e të vdekurve në komunat franceze, dhe shtoi se për mbrojtjen kombëtare mund të flitet, por jo për të nxitur idenë e shkuarjes në luftë.
Louis Aliot nga Rrjeti Kombëtar deklaroi se duhet të jesh i gatshëm të vdesësh për vendin, por se lufta duhet të jetë e drejtë ose të tregojë se është në rrezik mbijetesore të kombit.
/Telegrafi/