Dorëzohet në polici Daniel Pepa pas përfshirjes në ngjarjen me dy të vrarë në Manëz

Daniel Pepa është vetëdorëzuar në polici, pas përfshirjes në një ngjarje të rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit në një lokal në fshatin Manëz, ku mbetën të vrarë dy persona.

Ngjarja ndodhi në lokalin në pronësi të familjes së ish-administratorit të njësisë administrative. Sipas policisë, konflikti nisi kur Daniel Pepa kërkoi nga kamerieri që të ndizte ekspresin e kafes. Pas një debati verbal mes tyre, Pepa e goditi kamerierin me një çantë krahu.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, ndërhyri Flori Paluçi, i cili i kërkoi Pepës që të mos konfliktohej me kamerierin. Pas një debati të shkurtër, persona të tjerë ndërhynë dhe situata u përmbyll përkohësisht.

Pak minuta më vonë, Daniel Pepa u largua me makinë dhe u rikthye pas rreth 3-4 minutash së bashku me dy shokët e tij, Ergi Kadiun dhe Aranit Kurtin. Ata tentuan të futeshin sërish në lokal, por u ndaluan nga disa persona për të shmangur përplasjen me Florin Paluçin. Pepa më pas ofendoi Paluçin nga jashtë lokalit.

Flori Paluçi doli nga lokali me pistoletë në dorë dhe qëlloi në tokë për të trembur Pepën. Menjëherë pas këtij veprimi, Daniel Pepa nxori armën dhe qëlloi në drejtim të Paluçit, duke e plagosur në shpinë. Më pas, Aranit Kurti e goditi me grusht Paluçin, i cili reagoi duke qëlluar sërish me armë në drejtim të Pepës dhe Kurtit.

Nga të shtënat, Aranit Kurti u plagos rëndë dhe ndërroi jetë. Ndërsa Daniel Pepa dhe Ergi Kadiu u larguan me makinë nga vendi i ngjarjes. Paluçi tentoi t’i ndiqte, duke qëlluar edhe drejt automjetit të tyre. Më pas, ai u përpoq të shkonte vetë me makinë në spital, por u gjet i vdekur në timon.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se disa minuta pas ngjarjes, Daniel Pepa u kthye në vendin e ngjarjes bashkë me Gëzim Allçin, i cili mbante një objekt që dyshohet të jetë armë zjarri. Të dy janë nipër tezesh. Me ta ishin edhe Taulant Beqaj dhe Emirjan Beqaj. Pas një qëndrimi të shkurtër, ata u larguan me makinë në drejtim të Maminasit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *