Drita dhe Shkëndija përballen në Ligën e Konferencës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’

Drita dhe Shkëndija do të përballen në xhiron e katërt të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Kampioni në fuqi i Kosovës dhe kampioni i Maqedonisë së Veriut do të zhvillojnë një ndeshje që po cilësohet si festë e futbollit shqiptar. Kjo përballje pritet të sjellë emocione të shumta, jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, ku do të jenë të pranishëm ‘Intelektualët’ dhe ‘Ballistët’, grupet e tifozëve të të dyja skuadrave.

Klubi i Dritës ka njoftuar se biletat për këtë ndeshje, e cila do të luhet të enjten më 27 nëntor nga ora 21:00, tashmë janë në shitje.

“Të nderuar tifozë, ju njoftojmë se ka nisur zyrtarisht shitja e biletave online për ndeshjen më të madhe shqiptare në nivel garash evropiane”, thuhet në njoftimin e klubit.

Në këtë ndeshje, tifo-grupi ‘Intelektualët’ do të vendoset në tribunën veriore, ndërsa tifozët e Shkëndijës nga Tetova në tribunën jugore.

Drita e cilëson këtë ndeshje si një festë të futbollit shqiptar dhe fton të gjithë tifozët që të marrin pjesë e të mbështesin ekipin e zemrës në këtë sfidë të rëndësishme.

Biletat mund të blihen në platformën online në linkun: https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *