Ushtruesi i detyrës së ministrit për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hysen Durmishi, reagoi ashpër ndaj Komunës së Prishtinës lidhur me krizën e transportit urban dhe menaxhimin e tij.
Durmishi tha se Komuna e Prishtinës nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për të hartuar dhe miratuar rregulloren e re të transportit, sipas Ligjit për Transportin Rrugor. “Në bazë të ligjit për Transportin Rrugor, të gjitha komunat e edhe Komuna e Prishtinës, kanë pasur obligim ligjor të hartojnë dhe miratojnë rregulloret e reja të transportit në kuvendet komunale. Sot, mbi 90% e komunave e kanë përmbushur këtë detyrim. Por jo Komuna e Prishtinës”, deklaroi ai.
Ai theksoi se aktualisht transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet funksionon jashtë kornizave ligjore. “Transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese. Ky është një dështim i pastër menaxhues”, shkroi Durmishi.
Sipas tij, Komuna nuk ka hartuar as Planin e Transportit, i cili duhet të bazohet në Planin e Mobilitetit dhe të dorëzohet për miratim në ministri. “Komuna e Prishtinës as këtë nuk e ka bërë. Përkundrazi, ka improvizuar linja të reja, të pambështetura në plan, të krijuara për efekte elektorale dhe të subvencionuara pa asnjë analizë profesionale”, shtoi ai.
Durmishi akuzoi qeverisjen e LDK-së në Prishtinë për keqmenaxhim të gjerë. “Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim, ligjshmëri dhe procedurë. Tani, në prag zgjedhjesh, përpiqen t’ia lënë fajin Qeverisë për dështimet që i kanë shkaktuar vetë. Kjo nuk është qeverisje. Ky është abuzim me institucionin dhe me qytetarët e kryeqytetit”, u shpreh ai.
Burimi: Telegrafi.