Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt për veprën penale “Kanosja”, në lidhje me kërcënimet e bëra ndaj gazetarit dhe kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha.
Sipas aktakuzës së ngritur më 17 tetor 2025, Selmani dhe Haradinaj akuzohen se gjatë periudhës maj-qershor 2025 kanë postuar komente kërcënuese në rrjetin social Facebook ndaj Rexhës, si reagim ndaj deklaratave të tij publike për lirinë e mediave në Kosovë.
Fitim Selmani akuzohet se më 4 korrik 2025, në një postim në faqen “Gazeta Alfa” në Facebook, ka shkruar komente ofenduese dhe kërcënuese me përmbajtje etnike dhe raciste, të cilat kanë shkaktuar frikë dhe ankth te i dëmtuari. Ndërsa Blerim Haradinaj akuzohet se në një koment tjetër ka thënë: “Duhet me i var në litar kta tradhtar të Serbisë”, si reagim ndaj një interviste të dhënë nga Rexha në të njëjtën platformë.
Të dy personat janë deklaruar para Policisë se nuk e njohin personalisht gazetarin dhe se komentet janë shkruar pa qëllim të keq. Ata kanë kërkuar falje publike dhe janë shprehur të gatshëm të kërkojnë falje edhe drejtpërdrejt. Sipas deklarimeve të tyre, njëri prej tyre jeton në Suedi dhe tjetri në Zvicër.
Gazetari Rexha ka deklaruar në Polici se kërcënimet janë bërë si reagim ndaj angazhimit të tij profesional në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të gazetarëve në Kosovë. Ai ka theksuar se komentet kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë në ndjenjën e tij të sigurisë dhe kanë ndikuar negativisht në gjendjen e tij psikologjike.
Seanca fillestare për këtë rast është caktuar të mbahet të mërkurën, më 19 nëntor 2025, në ora 14:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.