Në një shënim ditari të gushtit 2015, shkrimtarja, regjisorja dhe artistja Eleanor Coppola pyeste veten pse vazhdonte të merrej me krijimtari në moshën e shtatëdhjetë e ca vjeçare. “Çfarë po më shtyn? Jo karrierë, as para, jo as famë. Por, ndoshta për t’u dalluar sadopak në një familje kaq të njohur, ku unë shihem shpesh si gruaja, nëna apo gjyshja në skaj të fotografisë”, shkruante ajo.
Coppola ndërroi jetë në vitin 2024 në moshën 87-vjeçare. Gjatë jetës, ajo njihej kryesisht përmes bashkëshortit të saj, regjisorit të mirënjohur Francis Ford Coppola, dhe më vonë përmes vajzës së tyre, Sofia Coppola. Duket se hija e famës së anëtarëve të tjerë të familjes e bëri të vështirë afirmimin e saj personal, një ndjenjë që ndante me shumë gra të brezit të saj.
Këto sfida dhe reflektime vijnë të përmbledhura në librin e saj të fundit “Two of Me”, i botuar pas vdekjes. Ai përfshin fragmente ditari të shkruara gjatë dekadës së fundit të jetës. Libri pason botimet e mëhershme “Notes: On the Making of ‘Apocalypse Now’” (1979) dhe “Notes on a Life” (2008), të cilat përshkruajnë jetën personale dhe artistike të familjes Coppola. Ajo ka qenë po ashtu bashkëregjisore e dokumentarit “Hearts of Darkness: A Filmmaker’s Apocalypse” (1991), me pamje të xhiruara prej saj gjatë realizimit të filmit në Filipine.
Në “Two of Me”, Coppola trajton hapur rolin e saj të shpesh të padukshëm dhe ndjesinë e të qenit në periferi të jetës publike të familjes. Ajo shkruan për pozicionin e saj si vëzhguese në punën krijuese të bashkëshortit — “audienca që sheh aksionin si në një kinema”. Reflekton gjithashtu mbi lodhjen e grave në prapaskenë, përballë burrave që fuqizohen mes sfidave profesionale.
Libri nxjerr në dritë edhe tensionet brenda martesës së saj. Coppola përpiqej të ushqente talentin dhe pasionin për artin, ndërsa përmbushte pritshmëritë e një bashkëshorti kërkues dhe tradicional. Ajo shkruan se ishte e ndarë mes dy roleve — e lirë dhe krijuese nga njëra anë, dhe mbështetëse e familjes nga ana tjetër.
Në vitin 2010, një diagnozë e një tumori të rrallë në kraharor e shtyu në një tjetër udhëkryq. Edhe pse mjekët rekomanduan kimioterapi, ajo zgjodhi një rrugë alternative, duke refuzuar trajtimin tradicional. Kjo zgjedhje, e pëlqyer pak nga familja, e ndihmoi të rigjejë ndjenjën e kontrollit mbi jetën e saj. “Mbeta e shtangur kur kuptova se zgjedhjet për jetën time ishin të miat për t’i marrë”, shkruante ajo.
Vendimi për të mos trajtuar tumorin me kimioterapi përfaqësonte një shkëputje nga roli tradicional i bindur dhe sakrifikues që ajo kishte mbajtur gjatë. Ajo e quante sëmundjen “një mësues të madh”, që e ndihmoi të shihte ekzistencën jashtë hijes së familjes.
Në vitin 2016, në moshën 80-vjeçare, Coppola realizoi filmin e saj të parë artistik, “Paris Can Wait”, pasuar nga “Love Is Love Is Love” në vitin 2020. Megjithatë, për të, arritjet më të mëdha nuk ishin titujt apo filmat, por aftësia për të shkruar për botën e saj të brendshme. Përmes shënimeve, ajo krijon një gjuhë të qetë dhe të thellë, duke vëzhguar natyrën, vetminë, dhe marrëdhëniet familjare me gjakftohtësi reflektuese.
Në një shënim nga viti 2018, ajo vendosi të qëndrojë vetëm në shtëpinë familjare në Napa, ndërsa pjesa tjetër udhëtoi në Nju-Orlins. “Francis u irritua shumë, pasi ai beson se vendi im është pranë tij”, shkroi ajo. Por Coppola zgjodhi vetminë, duke e përshkruar si një përvojë çlirimi. Në atë mjedis të heshtur, ajo vështronte zogjtë dhe pemët dhe mendonte se “siç mbijeton natyra, po ashtu ia del mbanë edhe familja, pa mua”.
“Two of Me” është një dëshmi e një zëri të qetë, por të vendosur, që më në fund dha formë një vetjeje që për shumë gjatë ishte fshehur në sfond. Në këto faqe, Eleanor Coppola bëhet e dukshme me mënyrën e saj — përmes vëzhgimit, shkrimit dhe një lirie të fituar vonë.