Elijona Binakaj, banore e Big Brother VIP Kosova 4, ndau me të tjerët një rrëfim të dhimbshëm për traumën që përjetoi pas humbjes së nënës dhe motrës në një aksident të rëndë komunikacioni.
Ajo kujtoi me lot ditën e 25 korrikut, kur ishte nisur me autobus drejt Kosovës — një udhëtim që pritej të ishte i gëzueshëm, por u kthye në tragjedi. “Më 25 korrik, në ora 6:20, kam dëgjuar njerëzit duke bërtitur… dhe veç mbaj mend që u gjenda krejt vet”, rrëfeu ajo.
Elijona tregoi se babai dhe vëllai ndodheshin në Gjermani, ndërsa ajo po udhëtonte me motrat. Ajo tha se fillimisht po e kërkonin, pastaj pa nënën dhe ia tregoi motrës. Doli në rrugë dhe gjeti telefonin e mamit. ‘E thirra babain dhe i thashë që kishim pasur aksident. Babai u nis menjëherë për në Kroaci. Për motrën kishim shumë shpresë’, shtoi ajo.
Ajo tha se i mungojnë nëna dhe motrat dhe se i mungon të gjejë shtëpinë plot gëzim. Gjithashtu përmendi lidhjen e fortë me babanë, të cilin e quajti ‘pikën e saj të dobët’.
Rrëfimi i Elijonës preku publikun dhe banorët e shtëpisë, duke u bërë një nga momentet më emocionale të këtij edicioni të BBVK4. /Telegrafi/