Elon Musk pyet për Princin saudit në një darkë zyrtare, media britanike e cilëson ‘lojë me zjarrin’

Elon Musk është filmuar në një banket zyrtar në nder të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, duke bërë një pyetje të pazakontë që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Gjatë ngjarjes, e cila u zhvillua të martën, Musk piu një gllënjkë nga gota e tij dhe iu drejtua Drejtorit Ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, me pyetjen: “Cili është mendimi juaj, a është ai terrorist?”. Sipas lexueses së buzëve Nicola Hickling, e cila analizoi videon për Daily Mail, Bourla u duk i habitur nga pyetja.

Media britanike Daily Mail e cilësoi deklaratën e Musk si “një lojë me zjarrin”.

Princi Mohammed bin Salman po vizitonte Shtëpinë e Bardhë për herë të parë pas shtatë vitesh, vizitë që vjen pas vrasjes së gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, në vitin 2018. Ai u prit me një darkë zyrtare të mbajtur nga Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump.

Mes të ftuarve ishin figura të njohura si Cristiano Ronaldo, senatori Marco Rubio, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe gazetarët Bret Baier e Maria Bartiromo nga Fox News. Nga bota e biznesit morën pjesë drejtues si Jensen Huang i Nvidia, Tim Cook i Apple, Charles Schwab, Mary Barra e General Motors dhe Alex Karp i Palantir.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite u tensionuan pas vrasjes së Khashoggit, një kritik i rreptë i regjimit saudit. Trump u pyet për këtë gjatë një konferencë për media në Zyrën Ovale, ku tha: “Po përmendni dikë që ishte jashtëzakonisht i diskutueshëm. Shumë njerëzve nuk u pëlqeu ai zotëri për të cilin po flisni. Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, gjëra ndodhin. Por ai [Princi Salman] nuk dinte asgjë për këtë.”

Jamal Khashoggi, që jetonte në Virxhinia dhe punonte si kolumnist për Washington Post, u thirr në konsullatën saudite në Stamboll, ku u vra nga 15 agjentë. Trupi i tij nuk është gjetur ende. Princi i Kurorës ka mohuar çdo përfshirje në vrasje, por inteligjenca amerikane beson se ai ka gjasa të ketë dhënë urdhrin për operacionin.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *