Reperi amerikan Eminem ka paditur markën australiane ‘Swim Shady’, duke pretenduar se emri i saj është shumë i ngjashëm me pseudonimin e tij të njohur, ‘Slim Shady’.
Emri i vërtetë i reperit është Marshall Bruce Mathers III. Ai paraqiti një peticion në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së në shtator, duke kërkuar anulimin e markës tregtare amerikane të dhënë kompanisë australiane. Kjo e fundit duhet të përgjigjet ndaj peticionit brenda javës së ardhshme.
Avokatët e reperit 53-vjeçar pretendojnë se kompania me seli në Sydney ka krijuar një “lidhje të rreme” me figurën e Eminem. Ndërkohë, ‘Swim Shady’ ka deklaruar se do të mbrojë pronësinë e saj intelektuale.
Emri ‘Swim Shady’ u regjistrua në Australi në shtator 2023 dhe kompania nisi aktivitetin zyrtarisht në vitin 2024. Fillimisht, marka ishte lançuar me emrin ‘Slim Shade’. Kompania shet çadra portative, çanta noti dhe produkte të tjera për plazh.
Markës iu aprovua emri si markë tregtare në SHBA në fillim të vitit 2025. Pas kësaj, ekipi i Eminem paraqiti menjëherë një kërkesë për anulimin e saj pranë autoriteteve amerikane dhe gjithashtu një ankesë në Australi.
Në një deklaratë për shtyp, kompania australiane tha: “Swim Shady është një kompani e krijuar për të prodhuar çadra dhe artikuj të tjerë për mbrojtje nga dielli i fortë australian”, duke shtuar se nuk mund të komentojë më tej për shkak të procedurave ligjore në zhvillim.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Eminem e ka regjistruar emrin ‘Slim Shady’ si markë tregtare në SHBA që nga viti 1999, kur publikoi albumin e tij me të njëjtin emër. Kërkesa për markë tregtare në Australi u paraqit në janar 2025.
Eminem u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2000 me këngën “The Real Slim Shady”, e cila i solli një çmim Grammy për performancën më të mirë solo rep. Sipas avokatëve të tij, emri ‘Slim Shady’ është i lidhur ngushtë me karrierën e reperit dhe ka fituar njohje të gjerë në publik.