Enver Hoxhaj ka mbajtur një fjalim kritik në Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si është menaxhuar procesi zgjedhor brenda partisë.
Ai tha se nuk i është dhënë as një javë kohë shtesë për të kandiduar për kryetar, pavarësisht se këtë kërkesë ia kishte paraqitur Bedri Hamzës një ditë më parë. Sipas Hoxhajt, gara ishte mbyllur paraprakisht nga kryetari në detyrë, Memli Krasniqi, i cili kishte shprehur publikisht mbështetjen për një kandidat tjetër.
“Kur zgjedhjet shpallen për pesë ditë dhe menjëherë jepet preferenca e kryetarit, gara nuk është demokratike,” deklaroi Hoxhaj.
Ai theksoi se kërkesa e tij për shtyrjen e konventës me një javë kishte qenë një veprim parimor, me synimin për të hapur hapësirë për debat dhe prezantim të platformave.
Në fjalimin e tij, Hoxhaj vuri në dukje se mungesa e figurave si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po ndihet në drejtimin e tanishëm të partisë. “Kam pas qejf që ata të kthehen dhe të zgjidhet edhe problemi i lidershipit, apo jo?” u shpreh ai para delegatëve.
Duke argumentuar se procesi nuk ishte i drejtë dhe nuk ofronte kushte të barabarta, Hoxhaj njoftoi tërheqjen e tij nga gara për kryetar të PDK-së.
“E dua Kosovën. Tani e dua UÇK-në. Pastaj PDK-në. Pastaj Hashimin dhe Kadrinë. Këtë që po e them sot, ju bjen ndërmend nesër,” tha ai në përfundim të fjalimit.