Në Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj mbajti një fjalim kritik ndaj lidershipit aktual, duke shprehur pakënaqësitë e tij për mënyrën se si është menaxhuar procesi zgjedhor brenda partisë.
Hoxhaj deklaroi se nuk i ishte dhënë as një javë shtesë për të kandiduar për postin e kryetarit, edhe pse këtë kërkesë ia kishte paraqitur Bedri Hamzës në një takim një ditë më parë. Sipas tij, procesi ishte i mbyllur paraprakisht, duke iu referuar mbështetjes që kryetari në detyrë, Memli Krasniqi, i kishte dhënë kandidatit tjetër.
“Kur zgjedhjet shpallen për pesë ditë dhe menjëherë jepet preferenca e kryetarit, gara nuk është demokratike,” theksoi Hoxhaj.
Ai shtoi se kërkesa për shtyrjen e konventës me vetëm një javë kishte qenë një kërkesë parimore dhe jo personale, me synimin që të mundësohej një debat i hapur mbi platformat dhe idetë për drejtimin e partisë.
Gjatë fjalimit, Hoxhaj theksoi gjithashtu mungesën e figurave të rëndësishme në parti, duke përmendur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. “Kam pas qejf që ata të kthehen dhe të zgjidhet edhe problemi i lidershipit, apo jo?” u shpreh ai para delegatëve.
Duke nënvizuar se nuk ka kushte të barabarta dhe një proces të drejtë, Hoxhaj bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në garën për kryetar të PDK-së.
“E dua Kosovën. Tani e dua UÇK-në. Pastaj PDK-në. Pastaj Hashimin dhe Kadrinë. Këtë që po e them sot ju bjen ndërmend nesër,” përfundoi ai.