Organizatorët e Konkursit të Këngës në Eurovision njoftuan ndryshime në rregullat e votimit dhe promovimit pas polemikave lidhur me performancën e Izraelit në edicionin e fundit.
Disa vende u shprehën të shqetësuara pasi Izraeli doli i pari në votimin publik, por u rendit i dyti pasi u morën parasysh votat e jurisë.
Sipas ndryshimeve, fansat do të kenë mundësi të hedhin 10 vota për person, në vend të 20 që lejohej më parë. Për më tepër, votat e jurisë do të rikthehen edhe për gjysmëfinalet, ndërsa monitorimi teknik i sistemit të votimit do të forcohet për të zbuluar dhe parandaluar aktivitete mashtruese ose të koordinuara.
Organizatorët paralajmëruan gjithashtu se do të dekurajohen fushatat promovuese joproporcionale, veçanërisht kur janë kryer ose mbështeten nga ndërmjetës, përfshirë qeveritë ose agjencitë qeveritare. Ata thanë se transmetuesit dhe artistët nuk do të lejohen “të angazhohen në mënyrë aktive, të lehtësojnë ose të kontribuojnë në fushata promovuese të palëve të treta që mund të ndikojnë në rezultatin e votimit”. Në njoftim përmendet gjithashtu se vitin e kaluar pati raportime se një agjenci qeveritare izraelite pagoi për reklama dhe përdori llogari qeveritare në mediat sociale për të inkurajuar njerëzit të votonin për pjesëmarrësit e saj.
Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, deklaroi se pas konkursit të vitit 2025 ata “morën shumë reagime nga anëtarët dhe fansat” dhe donin që Eurovision të “t’i shqyrtonte mirë rregullat e tyre”. Ai tha se kishte “njëfarë frike se po shihnim ndonjë promovim të papërshtatshëm, veçanërisht nga ndërmjetës si qeveritë, që ishte jashtë proporcionit me pjesën tjetër të promovimit natyror”. Green theksoi se nuk do të veçojë asnjë pjesëmarrës, por se ndryshimet synojnë t’i përgjigjen sërë fushatash promovuese gjatë viteve të fundit që bien ndesh me frymën e konkursit.
Prania e Izraelit në festival shkaktoi gjithashtu kundërshtim nga disa vende për shkak të situatës në Gaza. Spanja, Irlanda, Sllovenia, Islanda dhe Holanda kanë thënë se do të shqyrtojnë bojkotimin e konkursit të ardhshëm nëse Izraeli merr pjesë. Green tha se shpresonte që masat të “siguronin njerëzit se zgjedhjet mbeten një hapësirë e paanshme dhe neutrale” dhe shtoi se po ndërmerren “hapa të qartë dhe vendimtarë për të siguruar që konkursi të mbetet një festë e muzikës dhe unitetit”.
Rregullat e reja kryesore:
– Fushatat promovuese joproporcionale do të dekurajohen, veçanërisht kur kryhen ose mbështeten nga ndërmjetës, përfshirë qeveritë dhe agjencitë qeveritare. Transmetuesit dhe artistët nuk do të lejohen të mbështesin apo të kontribuojnë në fushata të palëve të treta që mund të ndikojnë në votim.
– Numri i votave që një qytetar mund të hedhi reduktohet nga 20 në 10 për person.
– Juria, e cila më parë ishte e pranishme vetëm në finalen e madhe, do të përfshihet përsëri edhe në gjysmëfinale për të ruajtur cilësinë dhe larmishmërinë muzikore.
– Do të përmirësohet monitorimi teknik për të zbuluar dhe parandaluar aktivitete mashtruese ose të koordinuara të votimit dhe për të analizuar modelet e dyshimta në votim.
Burimi: Telegrafi.