FBK hap thirrjen për ekipin kombëtar në eFIBA (NBA 2K26)

Federata e Basketbollit e Kosovës do të marrë pjesë për të dytin vit radhazi në kualifikueset e Kampionatit Botëror të eSports në basketboll, eFIBA. Gara zhvillohet në lojën NBA 2K26, në platformën PS5, në formatin 5vs5 Pro AM, dhe organizohet nën ombrellën e FIBA.

FBK ka hapur thirrjen për lojtarët konkurrues të NBA 2K26 që kanë nivel profesional dhe dëshirojnë të përfaqësojnë Kosovën. Të interesuarit mund të aplikojnë për procesin e përzgjedhjes së ekipit kombëtar përmes këtij linku: https://bit.ly/FBKneEFIBA25

Lojtarët e përzgjedhur do të ftohen në eventin e përzgjedhjes (tryout), i cili do të zhvillohet në fillim të dhjetorit 2025. Atje do të testohen aftësitë e tyre për t’u siguruar vendi në ekipin përfaqësues të Kosovës për eFIBA Season 4.

Në edicionet e mëparshme, eFIBA ka shënuar rritje të shpejtë të pjesëmarrjes. Sezoni i parë nisi me rreth 30 shtete, ndërsa vitin e kaluar numri u rrit në mbi 60 vende. Çmimet kaluan vlerën e 50,000 eurove, dhe kampion u shpallën Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas debutimit në Sezonin 3, Kosova synon të ndërtojë sërish një ekip përfaqësues. Rruga kualifikuese nis me fazën para-kualifikuese për shtetet evropiane, që zhvillohet online gjatë janarit 2026. Ekipet që kualifikohen do të garojnë fizikisht (LAN) në finalet e Kampionatit, që këtë vit mbahen në Doha, Katar, gjatë majit 2026.

FBK synon të ndërtojë një ekip konkurrues, të promovojë talentin e ri dhe të përfaqësojë Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *