Një burrë 88-vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Bablak të Ferizajt.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli.
“Më 18 nëntor 2025, rreth orës 11:05, policia është njoftuar se në fshatin Bablak të Ferizajt një person ndodhej pa ndjenja në shtëpinë e tij. Patrulla policore ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka gjetur një person pa shenja jete. Vdekja është konstatuar nga Ekipi i Emergjencës nga Ferizaj. Viktima është një mashkull, rreth moshës 88-vjeçare”, deklaroi Veseli.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet e hetimeve dhe forenzikës, të cilat po punojnë për të sqaruar rrethanat e rastit.
Prokurori i shtetit është njoftuar dhe rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”.