Barcelona po përgatitet për rikthimin në Camp Nou, ndërsa trajneri Hansi Flick mori lajme pozitive nga rikuperimet e Raphinha-s dhe portierit Joan García. Megjithatë, shqetësime për gjendjen fizike të Frenkie De Jong dhe sëmundjen e Marcus Rashford ngjallin pasiguri para një fundjave vendimtare.
Pedri vazhdon të monitorohet nga afër, ndërsa skuadra përqendrohet si te forma, ashtu edhe te gjendja fizike. De Jong, i cili ka shqetësime të lidhura me dëmtimin e mëparshëm në zonën e ijëve, nuk është stërvitur me intensitet të plotë.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Flick nuk konfirmoi aktivizimin e tij dhe tha se skuadra është stërvitur për alternativa dhe do të përshtatet nëse De Jong nuk mund të luajë: “Jemi stërvitur për mënyrën se si duam të luajmë nesër dhe e dimë si ta zëvendësojmë. Por nuk dua të flas për këtë sot, do ta shihni nesër.”
“E njëjta gjë vlen për Frenkien si për Pedrin, janë lojtarë të mëdhenj dhe na japin besim. Por ndonjëherë nuk mund të llogarisim te ta dhe duhet ta menaxhojmë këtë situatë,” tha Flick.
Për Rashford, Flick njoftoi se: “Marcus ka temperaturë dhe nuk ka mundur të stërvitet as dje, as sot. Kam disa dyshime për të në ndeshjen e nesërme.”
Lajmi i mirë për Barcelonën është rikthimi i Raphinha-s, të cilin Flick e vlerëson për kontributin që sjell në skuadër. Ai pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen, por do të nisë nga stoli. Ndërkaq, Joan García, i dëmtuar që nga shtatori, është plotësisht i gatshëm dhe pritet të startojë.
Burimi: Telegrafi