Që nga emërimi i tij si trajner i Kombëtares së Kosovës më 17 shkurt 2024, Franco Foda ka arritur dy objektiva të rëndësishëm me skuadrën.
Fillimisht, ai udhëhoqi Kosovën në një ecuri mbresëlënëse në Ligën e Kombeve, duke e ngjitur nga Liga C në Ligën B. Në tetë ndeshjet zyrtare, Dardanët regjistruan gjashtë fitore dhe dy humbje (njëra prej të cilave u regjistrua si humbje zyrtare, megjithëse rezultati në minutën e 90-të ishte 0-0).
Kosova mposhti dy herë Qipron, Lituaninë dhe Islandën (në ndeshjet e play-offit), ndërsa pësuan humbje ndaj Rumanisë. Ndeshja e parë u mbyll me një disfatë 3-0 në shtëpi, ndërsa e dyta u humb në tavolinë, pavarësisht dominimit në fushë.
Me 15 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pranuar, Kosova tregoi forcë dhe qëndrueshmëri nën drejtimin e trajnerit gjerman, veçanërisht në përballjet ndaj Islandës.
Objektivi i dytë i realizuar nga Foda ishte suksesi në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Kosova u përball me kundërshtarë të fortë si Zvicra, Suedia dhe Sllovenia, por arriti të përfundonte në vendin e dytë të grupit, duke siguruar një vend në fazën play-off.
Në gjashtë ndeshje, Dardanët regjistruan tre fitore, dy barazime dhe një humbje, duke grumbulluar 11 pikë të mjaftueshme për të vazhduar garën për një vend në Botëror.
Fitorja 2-0 kundër Suedisë në Prishtinë dhe ajo 1-0 në Stockholm ishin rezultatet më të spikatura, së bashku me suksesin 2-0 si mysafire ndaj Sllovenisë. Barazimet ndaj Sllovenisë (0-0) dhe Zvicrës (1-1) konfirmuan organizimin dhe stabilitetin e skuadrës.
Foda e ka kaluar një herë fazën e play-offit dhe tani synon ta përsërisë këtë sukses në mars. Me një ekip të disiplinuar dhe të motivuar, Kosova vazhdon rrugëtimin drejt ëndrrës për pjesëmarrje në Kupën e Botës.