Gabimi i KOSTT-it dhe dështimi i ZRRE-së rritën faturat mujore për 2.41 euro/MWh në 2023

Një llogaritje e pasaktë nga KOSTT-i — e deklaruar si gabim — dhe dështimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ta identifikuar atë, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kanë bërë që konsumatorët të paguajnë 2.41 euro më shumë për çdo MWh në faturat mujore të vitit 2023.

Raporti i ZKA-së shpjegon se në Fondin për Burimet e Ripërtërishme për vitin 2022 KOSTT-i kishte deklaruar një tepricë prej 4.3 milionë euro, ndërsa mbetja reale ishte 1.2 milionë euro. Këto të dhëna të gabuara kaluan pa u vënë re dhe pa verifikim nga ZRRE-ja gjatë miratimit të të hyrave të lejuara për 2023.

Si pasojë, për vitin 2023 në Fond u llogaritën të hyra nga tarifa për 3 milionë euro më pak. KOSTT-i kërkoi korrigjimin e shifrave një vit më vonë; sipas ZKA-së, gabimi i vitit 2022 u korrigjua vetëm në vitin 2024, sepse ZRRE nuk kishte bërë një shqyrtim kritik të aplikacionit për shqyrtimin e tarifave vjetore.

Raporti vë në dukje ndryshimin e tarifës së Fondit për Burimet e Ripërtërishme (BRE): nga 0.73 euro/MWh në 2022 në 3.14 euro/MWh në 2023. Për pasojë, gjatë vitit 2023 për çdo MWh të shpenzuar konsumatorët paguanin 2.41 euro në muaj më shumë vetëm për tarifën e Fondit, krahasuar me vitin 2022.

Më tej, ZKA konstaton se të hyrat e lejuara për vitin 2023 nuk u realizuan sipas planifikimit, duke bërë që Fondi të operonte me humbje prej rreth 5 milionë eurosh. Për vitin 2023 KOSTT-i kishte planifikuar të hyra nga tarifa 16.7 milionë euro (pa përfshirë përshtatjet e vitit paraprak prej 4.4 milionë eurosh të deklaruara si të mbetura), ndërsa realizoi 12.6 milionë euro. Raporti shënjon se ZRRE nuk kishte kërkuar shpjegime nga KOSTT-i lidhur me këtë diferencë dhe u mjaftua me shqyrtimin e informacioneve vjetore gjatë përshtatjeve për të hyrat maksimale të lejuara.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *