Kryeministrja italiane Giorgia Meloni përshëndeti aktin e të riut shqiptar Elton Zefi, i cili shpëtoi një 85-vjeçar që ra me makinën në lumë. Meloni shkroi në Instagram se jeta e një personi u shpëtua falë guximit dhe altruizmit të Zefit, dhe e cilësoi atë hero.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00, në kanalin Battaglia në Padova. Giuseppe Salvalajo, sipërmarrës 85-vjeçar nga Padova, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në ujë për arsye ende të paqarta. Automjeti nisi të fundoset shpejt, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda dhe në gjendje shoku.
Elton Zefi, 32 vjeç, që atë ditë po festonte ditëlindjen, nuk hezitoi kur pa makinën të zhytej. Ai u hodh menjëherë në ujë bashkë me një tjetër burrë që ishte aty pranë. Fillimisht tentuan të thyenin xhamat e makinës pa sukses.
Zefi tregoi se kishte arritur të shihte dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami ishte i hapur, dhe kuptoi se kishte shpresë. Pas disa përpjekjesh, i lodhur dhe me këmbët e mpira nga të ftohtit, ai bëri një përpjekje të fundit dhe arriti ta nxirrte 85-vjeçarin nga automjeti dhe ta sjellte në breg.
Pak çaste më vonë mbërritën ekipet e ndihmës së shpejtë. Momentet u regjistruan në një video që u shpërnda shpejt në rrjetet sociale. Burri i moshuar u transportua në spital, mori kujdes mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.