Gjatë dëshmisë në Gjykatën Speciale në Hagë, gjenerali amerikan Wesley Clark tha se Hashim Thaçi nuk ka pasur rolin e komandantit ushtarak gjatë konfliktit në Kosovë. Clark deklaroi se në takimet e Marrëveshjes së Rambujesë, Thaçi ishte një figurë me autoritet në delegacionin shqiptar, por jo i përfshirë në operacionet ushtarake. “Ai ishte i veshur mirë, fliste gjermanisht dhe nuk kishte shumë dije për operacionet ushtarake. Nuk fliste shumë anglisht në atë kohë. Unë nuk flisja shumë gjermanisht dhe ishte e vështirë të komunikonim me njëri-tjetrin. Por, ai nuk ishte komandant ushtarak,” tha Clark. Gjenerali shtoi se Thaçi nuk ndihmoi në identifikimin e objektivave ushtarake dhe nuk kishte një kuptim bazik të operacioneve. Ai theksoi se në vitin 1998, informacioni për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte i kufizuar dhe grupet u formuan kryesisht në mënyrë spontane si reagim ndaj shtypjes serbe. Clark vuri në dukje se këto grupe u aktivizuan pas vrasjes së familjes Jashari, e cila shërbeu si alarm për situatën në terren.