Qeveria gjermane miratoi të mërkurën një strategji të re për sigurinë në hapësirë, që synon mbrojtjen dhe zhvillimin e teknologjisë hapësinore, duke përfshirë ndërtimin e aftësive mbrojtëse dhe potencialisht sulmuese për të garantuar sigurinë e satelitëve.
“Detyra jonë kryesore është të ruajmë dhe zgjerojmë aftësitë tona të mbrojtjes në hapësirë,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në Berlin pas miratimit të strategjisë nga kabineti qeveritar. “Parandalimi duhet të jetë i besueshëm edhe në këtë fushë.”
Në shtator, Pistorius kishte bërë të ditur se qeveria do të ndajë 35 miliardë euro (40 miliardë dollarë) për projekte hapësinore dhe ndërtimin e një arkitekture sigurie në hapësirë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Ministri paralajmëroi për rritjen e militarizimit të hapësirës, duke përmendur si shqetësim aktivitetet e Rusisë dhe Kinës. Ai theksoi se Gjermania nuk ka qëllime agresive: “Ne nuk do të sulmojmë apo të lejojmë sulmin ndaj satelitëve të kombeve të tjera, as tani e as në të ardhmen.”
Megjithatë, sipas tij, Gjermania duhet të ketë kapacitete për reagim mbrojtës, për të siguruar funksionimin dhe sigurinë e infrastrukturës së saj satelitore.
Strategjia e re përfshin tre fusha kryesore veprimi: identifikimin e rreziqeve dhe kërcënimeve, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e aftësive mbrojtëse.
“Strategjia përcakton një kuadër se si mund të mbrojmë më mirë veten në hapësirë dhe të bëjmë gjithë vendin më të qëndrueshëm,” tha Pistorius.
Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, shtoi se “nga komunikimi te kontrolli i raketave e dronëve, dhe shfrytëzimi i burimeve strategjike, gara për epërsi në hapësirë është në kulmin e saj. Kjo e bën të domosdoshme që Gjermania të mbrojë interesat e saj.”