Gjevgjeli: Nis procedurë hetimore për sulm seksual dhe dhunim

Prokuroria themelore publike në Gjevgjeli njofton se është dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër një personi, të dyshuar për veprat penale “Sulm seksual” dhe “Dhunim”.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshim themelor se më 19 nëntor i dyshuari, me përdorimin e forcës dhe në kundërshtim me vullnetin e qartë të së dëmtuarës, e ka detyruar atë në marrëdhënie seksuale. Viktimën, me të cilën paraprakisht kanë qenë në një lidhje më të gjatë që ajo e ka ndërprerë, ai e ka pritur para vendit të punës dhe e ka ftuar në veturë për të biseduar dhe për ta dërguar në shtëpi. Në vend të kësaj, me automjetin ka hyrë në një rrugë tjetër, brenda në veturë e ka goditur në fytyrë dhe e ka kërcënuar që të mos ketë lidhje me persona të tjerë. Kur ajo ka dalë nga vetura, i dyshuari me shuplaka dhe grushta e ka kthyer përsëri në automjet dhe e ka detyruar në marrëdhënie seksuale, kundrejt kundërshtimit të vazhdueshëm të saj.

Prokurori kompetent ka parashtruar propozim te gjykatësi në procedurë paraprake pranë Gjykatës themelore në Gjevgjeli për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *