Gjykata Supreme e Kosovës pranoi ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe e ktheu çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Gashi kishte apeluar fillimisht te PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime të caktuara. PZAP e refuzoi ankesën si të pabazuar më 14 nëntor, ndaj ai iu drejtua Gjykatës Supreme.
Supremja konstatoi se PZAP nuk veproi në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe nuk respektoi nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep PZAP-së kompetencë për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.
Gjykata theksoi se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i nevojshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.
PZAP tani detyrohet që, në rivendosje, të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet e ankuesit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme, duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe që të mos devijohet vullneti i qytetarëve.
Burimi: Telegrafi.