Gjykata Supreme refuzon ankesën e Arbër Eminit për zgjedhjet në Kllokot

Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.A.nr.433/2025, të datës 12 nëntor 2025.

Pas vendimit të PZAP-së, e cila kishte hedhur poshtë si të palejuar ankesën e paraqitur nga Emini, ky i fundit kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kontestuar rezultatet e zgjedhjeve. Ai pretendonte se gjatë procesit të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Kllokot ishte shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni zgjedhor.

Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se kjo instancë ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së në përputhje me pretendimet ankimore dhe shkresat e lëndës dhe ka konkluduar se ankesa është e pabazuar.

Gjykata thekson se e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së për hedhjen si të palejuar të ankesës së Arbër Eminit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *