Gjykata Supreme refuzon ankesën e PDK-së për rivotim në Mitrovicë

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte përsëritjen e votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.

Më 14 nëntor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi të mos ketë rivotim, duke cilësuar pa bazë ankesën e PDK-së për fletëvotime të përziera midis klasave dhe për probleme me shfaqjen e numrit serik. PZAP theksoi se nuk ishin prezantuar prova që tregonin parregullsi.

PDK kishte dërguar ankesë në Gjykatën Supreme, por instanca më e lartë njoftoi të enjten refuzimin e kërkesës dhe vërtetimin e qëndrimit të PZAP-it. Gjatë shqyrtimit të lëndës, siç thuhet në njoftim, asnjë nga pretendimet nuk u provua dhe nuk u faktua; nuk u gjet baza ligjore për shkelje substanciale që të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar. Gjykata konkludoi se provat e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të urdhëruar rivotim.

Në balotazhin për kryetar të Mitrovicës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, mposhti kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *