Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me 6 vjet burg D. Z. për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim dënues ndaj D. Z., i cili u dënua me 6 vjet burg për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës në Drenas, Shefqet Baleci.

Sipas aktakuzës, i pandehuri e kishte sulmuar dhe kanosur gjyqtarin Baleci si pasojë e veprimeve zyrtare të këtij të fundit në një rast tjetër, në të cilin D. Z. ishte dënuar me 6 muaj burg efektiv dhe 300 euro gjobë.

Aktgjykimin e shpalli të enjten gjyqtarja Valbonë Përlaska. Me vendim, i akuzuari u dënua me 5 vite burg për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe me 2 vite burg për veprën penale “Kanosja”. Gjykata shqiptoi dënim unik prej 6 vjetësh burg.

Në dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. I njëjti obligohet të paguajë 20 euro paušall gjyqësor dhe 20 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Pala e dëmtuar është udhëzuar të ndjekë kontestin përmes procedurës civile.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.

Në shpalljen e vendimit ishin të pranishëm avokati i palës së dëmtuar, Ibrahim Dobruna, dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ibrahim Shala. I akuzuari ndoqi shpalljen përmes video-linkut nga qendra e paraburgimit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar më 17 nëntor 2025, Gjykata kishte miratuar pranimin e fajsisë nga ana e D. Z.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *