Brikenë Hoxha, drejtoreshë në Iniciativën Kosovare për Stabilitet
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në asambletë komunale u zgjodhën 338 gra dhe 604 burra. Gratë përbëjnë 35.9% të përbërjes lokale, mbi kuotën ligjore prej 30%, por ndikimi i tyre real në vendimmarrje mbetet i kufizuar.
Dialogu social në Kosovë funksionon më shumë si formë sesa si përmbajtje. Këshilli Ekonomik Social, që ligjërisht duhet të jetë ura e bashkëbisedimit ndërmjet institucioneve, punëdhënësve dhe punëtorëve, ka përfaqësim të kufizuar të sektorit privat. Sindikatat mbeten kryesisht publike dhe nuk përfaqësojnë mjaftueshëm punëtorët e sektorit privat. Për më shumë se pesë vjet ky këshill nuk ka qenë funksional, çka la Kosovën pa një mekanizëm aktiv të dialogut trepalësh.
Mungesa e sindikatave të forta në sektorin privat ka bërë që zëri i punëtorëve të jetë i dëgjueshëm pak në nivel qendror dhe në proceset e politikëbërjes. Ky boshllëk institucional është mbushur pjesërisht nga komunat dhe përfaqësuesit lokalë, veçanërisht gratë asambleiste. Në shumë komuna, përmes dëgjimeve publike dhe nismave qytetare, ato po rikthejnë në praktikë idenë e dialogut shoqëror dhe po ndërtojnë një kulturë bashkëbisedimi që institucionet qendrore nuk e kanë konsoliduar.
Ndikimi politik lidhet ngushtë me ndikimin ekonomik. Sipas raportit të Bankës Botërore ‘Gratë, Biznesi dhe Ligji 2024: Profili i Kosovës’, pjesëmarrja e grave në tregun e punës është nën 21%. Mungesa e politikave për kujdes ndaj fëmijëve dhe balancimin punë-familje është një pengesë kyçe për fuqizimin ekonomik dhe publik të grave. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (Anketa e Fuqisë Punëtore 2024) tregojnë se vetëm 19.8% e grave janë të punësuara, krahasuar me 47.3% të burrave, ndërsa pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është 23.5%.
Rreth 37% e grave të punësuara punojnë në ekonomi të paformalizuar, pa kontrata e pa sigurime shoqërore. Përfshirja e tyre në sektorin privat formal është veçanërisht e ulët, vetëm 18% e të punësuarve. Këta tregues tregojnë një hendek strukturor midis sektorëve ku krijohet rritja ekonomike dhe atyre ku gratë kanë akses. Pa pavarësi ekonomike, përfshirja politike shpesh mbetet simbolike dhe pa ndikim të matshëm.
Që nga paslufta, vetëm një grua ishte zgjedhur me votë kryetare e komunës në Kosovë, Mimoza Kusari Lila në Gjakovë. Në zgjedhjet e vitit 2025, një tjetër grua, Tanja Antić në Ranillug, fitoi këtë post. Këto raste, megjithëse të rëndësishme, mbeten simbolike dhe tregojnë se udhëheqja gjinore në pushtetin vendor nuk është bërë ende normë. Në nivel komunal, gratë drejtojnë më pak se 20% të drejtorive, ndërsa në institucionet qendrore përfaqësimi i tyre në pozita vendimmarrëse mbetet nën 30%.
Përtej shifrave, ndikimi i grave shihet te mënyra si ato e ushtrojnë politikën në nivel lokal. Raporti i Institutit Kombëtar Demokratik ‘Pjesëmarrja Politike e Grave në Nivelin Lokal në Kosovë’ (2023) tregon se 75% e grave asambleiste marrin pjesë rregullisht në takime me qytetarët dhe 60% trajtojnë tema si arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe shërbimet sociale. Gratë janë më aktive në konsultime publike, por shpesh nuk disponojnë mekanizma për ta kthyer këtë angazhim në ndikim real brenda proceseve buxhetore dhe planifikimit komunal.
Raporti i organizatës Demokraci për Zhvillim ‘Gjinia dhe Qeverisja Lokale në Kosovë’ (2023) arrin në përfundime të ngjashme. Në komuna si Gjakovë, Gjilan, Prizren dhe Suharekë, gratë asambleiste kanë luajtur rol ndërmjetësues midis qytetarëve dhe drejtorive komunale, veçanërisht në çështjet e përditshme. Edhe pse shpesh pa mbështetje politike dhe burime financiare, ato e mbajnë aktiv komunikimin publik dhe zgjojnë dialogun shoqëror aty ku institucionet qendrore kanë dështuar.
Korniza ligjore kërkon konsultim publik. Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe Udhëzimi Administrativ Nr. 06/2018 për Standardet e Konsultimeve Publike kërkojnë dëgjime për buxhetet, planet zhvillimore dhe shërbimet lokale, por pjesëmarrja mbetet e ulët dhe ndikimi i kufizuar. Aty ku proceset janë bërë më të gjalla, iniciativat shpesh kanë ardhur nga gratë përmes dëgjimeve të hapura dhe kërkesave për transparencë.
Nëse synohet që pjesëmarrja e grave të kthehet në ndikim të matshëm, duhet të pranohet se pengesat nuk burojnë nga mungesa e angazhimit të tyre, por nga strukturat që mbajnë proceset vendimmarrëse të mbyllura dhe të centralizuara. Ndryshimi nuk do të vijë vetëm nga reformat ligjore, por nga hapja e institucioneve dhe krijimi i mekanizmave të vërtetë të dialogut publik. Në nivelin lokal, përmes grave që kërkojnë të përfshihen në planifikim, buxhete dhe transparencë, po shfaqet potenciali më i qartë për reformë demokratike.
Demokracia nuk matet me numrin e takimeve, por me mënyrën si dëgjohen zërat. Zëri i grave që tashmë janë në institucione nuk është më thjesht kërkesë për përfaqësim, por kërkesë për përgjegjësi dhe ndikim real. Vetëm atëherë kuota nuk do të mbetet një shifër simbolike, por do të reflektojë një ndryshim të matshëm në vendimmarrje.
(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit ‘Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale’, i implementuar nga Demokraci për Zhvillim dhe i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës ose të donatorit.)