Haiti kualifikohet në Kupën e Botës mes krizës së rëndë në vend

Kualifikimet për Kupën e Botës 2026 në zonën CONCACAF (Amerika e Veriut dhe Qendrore) sollën histori të paharrueshme, ndër të cilat spikat ajo e përfaqësueses së Haitit.

Pasi u përmend më parë arritja historike e Curaçaos, vendi më i vogël ndonjëherë që siguron pjesëmarrjen në Kupën e Botës, edhe Haiti regjistroi një sukses të jashtëzakonshëm. Ata fituan grupin eliminator ku ndodheshin skuadra me përvojë të gjatë në Kampionatet Botërore, si Hondurasi dhe Kosta Rika.

Në ndeshjen vendimtare të grupit, Haitit i duhej një fitore kundër Nikaraguas për të siguruar kualifikimin. Ata arritën ta përmbushin me sukses këtë objektiv, duke fituar 2-0 dhe siguruar kështu pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm.

Suksesi bëhet edhe më i jashtëzakonshëm po të merren parasysh kushtet në të cilat ndodhet vendi. Prej vitesh Haiti nuk ka zhvilluar ndeshje në fushën e vet për shkak të situatës së rëndë të sigurisë. Pas vrasjes së presidentit Jovenel Moise më 2021, vendi është pushtuar nga dhuna dhe përleshjet ndërbandore. Kryeqyteti Port-au-Prince kontrollohet në masë të madhe nga bandat, të cilat morën edhe stadiumin kombëtar në mars të vitit 2024.

Përpos kësaj, trajneri i kombëtares, Sebastien Migne, nuk ka qenë kurrë fizikisht në Haiti, duke e udhëhequr ekipin nga jashtë vendit. Për ndeshjet dhe grumbullimet, skuadra është detyruar të qëndrojë dhe të stërvitet në vende si Surinami dhe Curaçao.

Me këtë kualifikim, Haiti rikthehet në një Kupë Bote për herë të parë që nga viti 1974, duke shënuar një nga rrugët më të vështira dhe më frymëzuese drejt turneut.

Përveç Haitit dhe Curaçaos, edhe Panama siguroi kualifikimin në Kupën e Botës përmes CONCACAF, ndërsa Xhamajka dhe Surinami do të kenë mundësinë të konkurrojnë në ndeshjet play-off ndërkontinentale.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *