Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, reagoi ashpër ndaj projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm, ku për herë të parë nuk janë parashikuar mjete për kategorinë e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë — një obligim kushtetues dhe një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.
Snopçe njoftoi se grupi i deputetëve të ASH-së kishte paraqitur një amendament për të siguruar financimin e kësaj kategorie, por amendamenti u refuzua nga përfaqësuesit e qeverisë dhe nga shumica parlamentare. Si rrjedhojë, fondi për përfaqësim të drejtë ka mbetur me zero denarë.
“Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Çfarë porosie dëshiron të dërgojë qeveria me mosparashikimin e mjeteve për këtë kategori?”, tha Snopçe.
Ai theksoi se ky vendim vjen pas heqjes së balansuesit dhe mosmiratimit të ligjit të premtuar për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, i cili duhej të ishte miratuar para një viti.
Snopçe deklaroi se tashmë ka dhjetëra raste të diskriminimit në institucionet shtetërore si pasojë e mosrespektimit të parimit të përfaqësimit të drejtë. Ai pyeti nëse qeveria synon të rikthejë vendin në periudhën para konfliktit të vitit 2001 dhe para Marrëveshjes së Ohrit.
“Në vend që të ecim përpara dhe të garantojmë të drejtat e qytetarëve, po shohim tendenca për t’i reduktuar ato. Kjo është tejet e rrezikshme për stabilitetin dhe kohezionin shoqëror”, deklaroi deputeti.
Snopçe bëri të ditur se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të insistojë që përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë të mbetet parim i pacënueshëm, i garantuar me ligj dhe me buxhet.