Haradinaj: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është nënshkruar, AAK do të garojë e vetme

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri të ditur se është nënshkruar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe se tani nis procesi për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai tha se shpallja e zgjedhjeve është në diskrecion të presidentes, ndërsa AAK shpreh se data 21 dhjetor do të ishte e përshtatshme.

Haradinaj argumentoi se kjo do t’u siguronte një javë për vazhdimet buxhetore që duhet të bëhen. Sipas tij, buxheti i Kosovës mund të funksionojë edhe gjatë janarit dhe shkurtit me 1/12, ndërsa Qeveria në detyrë mund të marrë vendime për përmbushjen e disa detyrimeve buxhetore, si ndaj RTK-së e palëve të tjera.

“Në mënyrë që zbatimi i buxhetit të vazhdojë në mars, nevojitet një vazhdim nga parlamenti i ardhshëm, ndaj një javë na konvenon,” tha ai.

Haradinaj theksoi se nga pushteti është propozuar data 28 dhjetor për zgjedhjet, por e konsideroi këtë periudhë të çmuar për familjet, jo vetëm si kohë pushimi, por edhe për mbledhje familjare.

“Është një arrogancë nga politika, një përbuzje deri në ofendim me i shpallë zgjedhjet më 28 dhjetor, në periudhën e pushimeve dimërore… që me vazhdu me numrime e rezultate edhe natën e Vitit të Ri,” tha ai.

Haradinaj shtoi se AAK është e gatshme të garojë në çdo datë dhe se do të garojë e vetme.

Burimi: Telegrafi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *