Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot një reagim në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, duke akuzuar qeverinë për harresë të qëllimshme dhe përpjekje për të zbehur meritat e tyre.
Sipas Haradinajt, çdo ditë që kalon qeveria i largon luftëtarët nga kujtesa publike dhe propaganda synon t’i shtyjë drejt harresës kolektive. Ai thotë se fillimisht janë injoruar, më pas janë ofenduar, përfshirë edhe për mënyrën e veshjes gjatë marshimeve dhe tubimeve përkujtimore.
Haradinaj akuzon gjithashtu pushtetin për orkestrim të dokumenteve dhe proceseve gjyqësore që, sipas tij, kanë si qëllim dobësimin e figurës së luftëtarit. Megjithatë, ai shton se përtej çdo goditjeje politike, struktura shpirtërore dhe mendore e luftëtarit mbetet e paprekshme.
Ai shkruan: “Luftëtarët jetojnë gjithmonë me qëllime të qarta. Ata nuk kanë frikë nga stuhitë, sepse stuhitë e kanë frikë vendosmërinë e tyre”, dhe i përshkruan plagët e tyre si medalje dhe heshtjen si urdhër.
Haradinaj i konsideron luftëtarët si njerëz që kanë parë nga afër vijën e hollë mes jetës dhe vdekjes, të cilët po shuhen natyrshëm, krenarë dhe stoikë, me një peng të vetëm—që nuk patën fatin e dëshmorëve. Ai apelon që të mbeturit gjallë të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë, më të fortë se propaganda që synon t’i zbehë.
Reagimi përfundon me fjalët: “Lumët ju, si thotë populli, për kontributin, sakrificën dhe shembullin. Mjerë ata që do të humbin gjithmonë me turp.”
Burimi: Telegrafi