Pas vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor të këtij viti, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka dërguar një mesazh mërgimtarëve që do të kalojnë festat e fundvitit në Kosovë.
Në një postim në rrjetin social, Haradinaj u bëri thirrje që përveç vizitave familjare, mërgimtarët të angazhohen edhe politikisht për të, siç tha ai, ‘pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit’.
‘Ne duam që Kosova e ëndrrave tona të jetësohet. Ne duam që vlera e lirisë të respektohet dhe të nderohen partnerët ndërkombëtarë në secilin nivel të sigurisë e të zhvillimit. Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj,’ shkruan Haradinaj.
Ai thekson rëndësinë e angazhimit institucional, që familjet ta ndjejnë dorën e shtetit, dhe u bëri thirrje njerëzve të diskutojnë dhe të vendosin për të ardhmen në familjet e tyre. ‘Bisedoni e argumentoni mes vete, në familjet tuaja, dhe vendosni për të ardhmen. Ne kurrë s’kemi qenë të ndarë mes vete në familje… Pa njëri-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen,’ theksoi ai.
‘Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen. Besnik ndaj atdheut dhe kombit,’ përfundon mesazhi.
Burimi: Telegrafi