Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, komentoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të shpallura nga Presidentja Vjosa Osmani për më 28 dhjetor. Ajo tha se qytetarët duhet të votojnë LVV-në, në mënyrë që partia të ketë pavarësinë për të qeverisur pa shantazhe nga subjektet e tjera politike.
Në një intervistë për TV Dukagjini, Haxhiu theksoi: “Unë besoj që tashmë qytetarët e kanë parë që nga muaji prill e deri dje se sa është e rëndësishme që LVV të mos varet prej subjekteve tjera politike, të cilat kanë kërkesa në mospërputhje me fuqinë politike. Kanë fuqi politike aq sa qytetarët iu kanë dhënë në zgjedhje, por kërkesat i kanë shumë të mëdha.”
Ajo shtoi: “Prandaj, në mënyrë që LVV-ja të mos shantazhohet në të ardhmen nga asnjë subjekt politik, jo se ne duam të qeverisim vetëm, sepse e kemi dëshmuar; më parë kemi qenë në koalicion me LDK-në dhe kemi pasur vullnet para seancës konstituive të 15 prillit që të takohemi me LDK për një koalicion të mundshëm.”
Haxhiu u shpreh gjithashtu: “Mendoj që është e rëndësishme që të mos varemi nga këto subjekte politike, të cilat vetëm për shkak të inateve që kanë me LVV-në dhe me Albin Kurtin e lanë vendin pa buxhet, e lanë vendin pa marrëveshje ndërkombëtare dhe i lanë punëtorët e RTK-së pa paga. Vetëm për shkak të kapriçove të tyre politike. Ata nuk udhëhiqen nga parimet.”