Hykmete Bajrami kritikon ashpër qeverisjen e Albin Kurtit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen e tij.

Bajrami njoftoi se nuk mori pjesë në seancë për arsye shëndetësore, por theksoi se ngjarjet e ditës ishin shumë të rëndësishme. Sipas saj, “sot u pa qartë mashtrimi dhe përbuzja e vullnetit të qytetarëve nga ai që doli i pari në zgjedhjet e fundit dhe mori 48 deputetë”.

Ajo akuzoi kryeministrin Kurti për keqqeverisje, korrupsion, varfërim të qytetarëve dhe mungesë të aftësisë për ndërtimin e koalicioneve. “Votuesit do ta ndëshkojnë arrogancën e z. Kurtit, që insistoi dhjetëra herë të votohej një emër i vetëm për kryetare të Parlamentit. Do ta ndëshkojnë z. Kurti dhe Vetëvendosjen që dështuan të lidhin koalicion me cilëndo parti shqiptare për të shmangur zgjedhjet,” ka thënë Bajrami.

Deputetja ka kritikuar gjithashtu humbjen e kohës dhe të resurseve shtetërore nga qeveria aktuale. “Thënë troç, kjo kastë politike ia humbi Kosovës plot pesë vjet, por përfituan shumë ata dhe rrethi i tyre, përmes keqpërdorimit të resurseve shtetërore në dëm të qytetarëve, për të cilat një ditë do të japin përgjegjësi,” ka shkruar ajo.

Në vijim të reagimit të saj, Bajrami ka evidentuar dështime në sektorët kyç të vendit. “Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do të mbahen mend si pushteti i pazareve dhe korrupsionit në energji, si pushteti që rriti çmimet e çdo produkti bazë, që nuk mbajti asnjë premtim, që nuk përfundoi asnjë rrugë lokale apo rajonale, që rrënoi ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë, dhe që u përpoq të blinte vota me skema të korrupsionit publik. Fillimi i fundit politik të Albin Kurtit ka nisur më 9 shkurt. Vula e këtij fundi do të jetë dita e zgjedhjeve të reja,” ka përfunduar Bajrami.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *