Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se është identifikuar kompania përgjegjëse për derdhjen e një substance të bardhë në rrugët e kryeqytetit.
Sipas tij, inspektorët bashkiakë kanë kryer një kontroll të jashtëzakonshëm në bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë”, ku u konstatua një derdhje masive nga një kapak kanalizimi.
“Në vendngjarje u vërejt një situatë alarmante: rrjedhje masive shkumë kimike nga puseta qendrore e bulevardit, në një zonë publike. Substanca kishte origjinë nga një person juridik që vepronte në afërsi”, ka deklaruar Gjorgjievski.
Ai e cilësoi ngjarjen si një shkelje serioze të rregulloreve ligjore dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për mjedisin. Sipas tij, institucionet kompetente kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë marrë mostra nga puseta, nga sipërfaqja e bulevardit, si dhe nga makina e kompanisë së përfshirë në incident.