Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për rikthimin e tij në futboll dhe ambiciet e reja me klubin ku u bashkua këtë verë, pas një pauze dyvjeçare. Në Samitin e Futbollit Social në Torino, Tare ndau përvojat e tij si futbollist dhe si drejtues, duke përmendur sfidat, sukseset dhe zhgënjimet e karrierës.
Ai kujtoi momentin kur kaloi nga fusha në zyrë: “Shkova në zyrat e Lazios për të nënshkruar si lojtar, dhe dola me kontratë si drejtor sportiv. Presidenti Claudio Lotito ishte vizionar, ai pa diçka tek unë që unë vetë ende nuk e kuptoja”.
Tare tregoi se gjithmonë kishte interes për funksionimin e brendshëm të një klubi: “Doja të dija çdo detaj. Fjalimi më i vështirë që mbajta ndonjëherë ishte ai kur iu thashë shokëve të ekipit se isha drejtori i tyre i ri sportiv”.
Pas 15 viteve në Lazio, ai synon të sjellë të njëjtën atmosferë te Milani. “Te Lazio, sidomos nën Simone Inzaghin, u krijua një frymë familjare. Dua ta sjell edhe këtu. Në Milanello tashmë po krijohet një ndjenjë e re respekti e bashkëpunimi”, tha Tare.
Ai e përshkroi projektin aktual të Milanit si revolucionar: “Ndryshuam shumë. Nënshkruam me 19 lojtarë dhe u larguan 23. Ky është një revolucion i vërtetë që do të na ndihmojë të ndërtojmë të ardhmen”.
Për objektivat, Tare ishte i drejtpërdrejtë: “Do të ishte gënjeshtër të thosha se synimi nuk është Scudetto. Duam majën dhe po ecim në rrugën e duhur. Kam dëshirë të fitoj trofe të rëndësishëm me këtë klub kaq të madh”.
Në përzgjedhjen e lojtarëve, ai theksoi rëndësinë e kombinimit mes teknologjisë dhe ndjesisë njerëzore: “Jam fans i të dhënave dhe inteligjencës artificiale, sepse të japin një panoramë të gjerë. Por nuk mund të blesh instinktin për të kuptuar karakterin e një lojtari. Të duhen të dyja”.
Një shembull konkret që solli ishte Luka Modric: “Milani solli një ‘djalë të vogël’ si Modric, që sillet si më i riu në dhomën e zhveshjes. Është fantastike të shohësh mënyrën e tij të të festuarit”.
Ndër momentet më të sinqerta të intervistës ishte ajo kur Tare foli për zhgënjimin e tij më të madh: Ravel Morrison. “E doja shumë te Lazio. Sir Alex Ferguson fliste gjithmonë për të. Ishte talent i pastër, ndoshta më i madhi që kam parë. E solla që t’i jepnim një shans të dytë, por nuk patëm sukses”, rrëfeu ai.
Morrison, dikur një talent premtues i Manchester United, u transferua te Lazio në vitin 2015, por zhvilloi vetëm tetë ndeshje me klubin italian, duke mos arritur kurrë të përmbushte pritshmëritë.