Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërim me nivel të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial për vërshime në disa rajone të vendit. Sipas njoftimit, situata pritet të përkeqësohet nga mbrëmja e së shtunës.
IHMK njofton se gjatë këtyre ditëve mbizotëron një situatë e paqëndrueshme hidrometeorologjike me reshje, që mund të shkaktojnë vërshime në disa zona. Aktualisht lumenjtë në të gjithë vendin kanë pësuar rënie, por reshjet e parashikuara, sidomos në pjesën lindore (pëllgu i Moravës së Binçës), pritet të rrisin prurjet nga zonat e larta malore dhe rrjedhimisht të rrisin nivelin e lumit Morava e Binçës dhe degës kryesore Kriva Reka, çka mund të shkaktojë përmbytje.
Sipas njoftimit, gjendja e ngjashme mund të regjistrohet edhe në pjesë të tjera të vendit, veçanërisht në veri-lindje (pëllgu i Llapit), në qendër (Sitnica) dhe në jug (pëllgu i Lepencit).
Moti vlerësohet si potencialisht i rrezikshëm. Instituti rekomandon kujdes për ata që do të zhvillojnë aktivitete të ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike, të qëndrojnë të informuar për kushtet e pritshme dhe të shmangin rreziqet e panevojshme.
(Telegrafi)