IKD: Legjislatura e 9-të po përjeton nivelin më të lartë të parregullsive kushtetuese

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se legjislatura e 9-të e Kuvendit të Kosovës po përballet me nivelin më të lartë të shkeljeve kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Republikës së Kosovës. Sipas IKD-së, vetëm një marrëveshje politike dhe formimi i një Qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë institucionale dhe respektimin e Kushtetutës.

Në një komunikatë për media, IKD ka bërë të ditur se para seancës për zgjedhjen e Qeverisë është thirrur një tjetër seancë e jashtëzakonshme me disa pika të rendit të ditës, të cilat janë proceduar në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Ligjin për Nismat Legjislative.

“Përpjekja për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar Qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

IKD thekson se qasja e kryetarit të Kuvendit bie ndesh me procedurat e përcaktuara, pasi përpara themelimit të komisioneve duhet të vendoset struktura nga Kryesia, të merren propozimet nga grupet parlamentare dhe të hartohet dokumenti final për miratim në seancë plenare. Sipas IKD-së, ky proces është anashkaluar në mënyrë arbitrare.

Instituti nënvizon se komisionet parlamentare duhet të formohen vetëm pas votimit të Qeverisë, në mënyrë që të dihen balancat politike dhe ndarja mes qeverisë dhe opozitës. Kjo vlen në veçanti për komisionet mbikëqyrëse, si ai për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës dhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të cilat sipas ligjit dhe praktikës u takojnë partive opozitare.

Në mungesë të qartësisë se kush përfaqëson opozitën në këtë fazë politike, formimi ligjor i këtyre komisioneve është i pamundur, thekson IKD.

Në këtë situatë, IKD bën thirrje për një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare dhe i kërkon Lëvizjes Vetëvendosje që para seancës së orës 14:00 të thërrasë një takim urgjent me kryetarët e partive.

Qëllimi i këtij takimi, sipas IKD-së, duhet të jetë formimi i një Qeverie teknike që do të adresojë çështje të ngutshme të administrimit shtetëror, përfshirë ndarjet buxhetore për vitin 2026, buxhetin për RTK-në, komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe të gjitha sfidat tjera institucionale.

IKD paralajmëron se nëse nuk ndërmerret një hap i tillë, devijimet aktuale do të përkeqësojnë më tej rendin kushtetues, funksionimin e demokracisë parlamentare dhe sundimin e ligjit në vend.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *