Në oborrin e shkollës fillore Strozhanac, pranë Splitit në Kroaci, persona të panjohur hodhën një mjet shpërthyes mbrëmë. Incidenti ndodhi në një vend ku ndizeshin qirinj në nder të viktimave të Vukovarit dhe Shkabërnjës.
Një regjistrim tregon katër persona të panjohur, të veshur me të zeza dhe me kapele në kokë, duke ndezur mjetin shpërthyes. Pasi u larguan nga vendi, mjeti shpërtheu.
Departamenti i Policisë së Split-Dalmacisë deklaroi se ka marrë një raport për ngjarjen dhe se xhami i derës së shkollës ishte dëmtuar për shkak të shpërthimit.
“Morëm një raport për fishekzjarrë të hedhur para shkollës fillore Strozhanac më 15 nëntor 2025 në mbrëmje. Oficerët e policisë nuk gjetën askënd, por përcaktuan se një xham në derën e shkollës ishte dëmtuar,” tha policia kroate.
Drejtoresha e shkollës, Zhana Prizmiq, konfirmoi se incidenti ndodhi mbrëmë dhe se komuniteti ishte thellësisht i tronditur nga ngjarja. “Ne reaguam menjëherë, herët në mëngjes, dhe paraqitëm një kallëzim në polici, edhe pse ata dhe zjarrfikësit ishin tashmë në vendngjarje mbrëmë. Si shkollë, morëm të gjitha masat e nevojshme. Kjo është vërtet e tmerrshme. Në prag të Ditës së Përkujtimit për Viktimat e Vukovarit dhe Shkabrnjës, është e vështirë të besohet se diçka e tillë mund të ndodhë në komunitetin tonë. Ne të gjithë u habitëm dhe u tronditëm që dikush do mund të guxonte të bënte diçka të tillë,” tha ajo.
Ajo shtoi se të premten, si pjesë e orës së mësimit, nxënësit dhe mësuesit ndezën qirinj në kujtim të viktimave të Vukovarit, ndërsa të dielën, vendasit me fëmijët e tyre erdhën për të bërë të njëjtën gjë. Pas shpërndarjes së tubimit, ndodhi incidenti.