Një incident i rëndë është raportuar së fundmi në shoubizin shqiptar, ku Don Xhoni, së bashku me të vëllanë dhe disa miq, thuhet se kanë sulmuar producentin nga Ferizaj, Shkumbin Nebihu, i njohur ndryshe si Bini Diez. Në një deklaratë për Prive by LS, Bini Diez konfirmoi se në momentin e incidentit ndodhej në makinë me familjen e tij. “Jam shokuar. Kjo që ka ndodhur sonte është më e keqja që një shqiptar mund të bëjë. Nuk e kemi traditë, sidomos kur dikush është me familje”, u shpreh ai. Ai shtoi se i kishin zënë rrugën me një makinë dhe kishin tentuar të sulmonin automjetin e tij. Konflikti duket se ka lidhje me reperin Nichi, i cili menaxhohet nga Bini Diez. Nichi ka reaguar ndaj ngjarjes me një shkrim në InstaStory, duke theksuar se ka bërë gabimin më të madh në jetë. “Ke pasur zgjidhje dhe prapë ke vendosur të bësh gabimin tënd më të madh në jetë”, shkroi ai. /Telegrafi/