Partisë Demokratike të Kosovës i është bashkuar Iniciativa Qytetare “Demokracia”, e udhëhequr nga ish-deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, njoftoi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Hamza e vlerësoi këtë hap si një forçim të rëndësishëm për partinë dhe për jetën demokratike të vendit. “Shkrirja e kësaj iniciative qytetare në PDK është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të përbashkët për forcimin e vlerave demokratike dhe angazhimin qytetar,” deklaroi ai.
Kryetari i PDK-së theksoi se bashkëpunimi me Iniciativën “Demokracia” përbën një shtesë të vlefshme në mobilizimin dhe zgjerimin e bazës qytetare të partisë. “Vazhdojmë përpara me përkushtim dhe bashkëpunim për një Kosovë më të mirë!” shtoi Hamza.
Me këtë bashkim, PDK synon të vazhdojë zgjerimin dhe konsolidimin e saj në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Burimi: Telegrafi.