Inter nis kërkimin e pasuesit të Yann Sommer, Emiliano Martínez në krye të listës

Interi ka nisur operacionin për të gjetur pasuesin e Yann Sommerit, dhe emri që spikat në listë është ai i Emiliano “Dibu” Martínez, portieri i Aston Villës dhe kampion bote me Argjentinën.

Në një kohë kur shumë klube të mëdha evropiane po përgatiten për lëvizje në afatin e janarit, drejtuesit zikaltër e shohin këtë periudhë si momentin vendimtar. Pas një fundsezoneje të kaluar që karakterizua nga rënie fizike dhe mungesë thellësie në skuadër, Interi synon të mos përsërisë të njëjtat gabime dhe kërkon të forcojë veçanërisht pozitën e portierit.

Sipas raportimit të TyC Sports, Interi ka vënë në shënjestër Emiliano Martínez, 33 vjeç, i cili ka kontratë me Aston Villën deri në vitin 2029. Performancat e tij të qëndrueshme në Ligën Premier dhe paraqitjet vendimtare me Argjentinën e bëjnë atë një kandidat të spikatur për skuadrën e Cristian Chivut.

Martínez, i shpallur kampion bote në Katar 2022, shihet si profili që mund t’i japë Interit stabilitet afatgjatë në portë. Edhe pse Aston Villa ndaloi largimin e tij gjatë verës, zikaltërit janë të gatshëm të testojnë vendosmërinë e klubit anglez me një ofertë konkrete.

Interi e konsideron këtë transferim si prioritet absolut, me qëllim që gardiani i ri të mbërrijë sa më shpejt në Milano dhe të nisë një epokë të re në portën zikaltër.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *