IPARD 3: Opozita akuzon mungesë transparence, Qeveria mohon

Opozita akuzon Ministrinë e Bujqësisë për mungesë transparence në lidhje me pezullimin e fondeve të programit IPARD 3. LSDM thotë se bujqve nuk u është bërë e qartë sa do të zgjasë pezullimi, pas bllokimit të programit kur drejtori i Agjencisë Pagesore u arrestua për marrje ryshfeti.

Zëdhënësja e LSDM, Bogdanka Kuzeska, kritikoi komunikimin e Ministrisë dhe tha se nuk ka informacion për arsyet, kohëzgjatjen e pezullimit, apo hapat për tejkalimin e problemit. Ajo deklaroi: “Nuk ka asnjë fjalë për arsyet, nuk ka asgjë për kohëzgjatjen e pezullimit të mjeteve nga IPARD, nuk ka as informatë për hapat e planifikuar për tejkalimin e këtij problemi serioz. Një hiç i madh. Tripunovski dërgon korniza të përgjithshme ligjore, citate nga rregulloret dhe procedura që janë të njohura prej kohësh dhe nuk japin përgjigje për pyetjet kyçe që i preokupojnë bujqit. Ky veprim i paskrupullt është fyerje direkte, tallje me 3.000 biznese të reja, me 10.000 vende të mundshme të reja të punës; ky është nënvlerësim i dëmit prej 130 milionë eurosh.”

Nga ana e Qeverisë, zëdhënësja Marija Miteva mohoi pretendimet për fshehje dhe theksoi se institucionet janë transparente. Ajo tha se pret Ministrinë e Bujqësisë dhe organet kompetente, përfshirë organet gjyqësore që udhëheqin hetimet, të informojnë me kohë opinionin për rezultatin e procedurës: “Unë absolutisht e hedh poshtë pretendimin se diçka po fshihet lidhur me këtë procedurë, e dini që ne jemi maksimalisht transparentë, prandaj pres që edhe Ministria e Bujqësisë, por edhe të gjitha organet kompetente që tashmë po udhëheqin procese jashtë ekzekutivit, e që janë organet gjyqësore, të japin informacionet e tyre lidhur me gjendjen.”

Burimi: Alsat.mk.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *