Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka nxjerrë rekomandime për banorët në zonat e përmbytura në Maqedoninë e Veriut. ISHP thekson nevojën për sigurimin e ujit të pijshëm të sigurt dhe ndjekjen e udhëzimeve të shërbimeve lokale për provimin e ujit.
ISHP rekomandon përdorimin e ujit të ambalazhuar për pije dhe gatim. Nëse përdoret ujë nga furnizimet lokale, puse, burime ose puse individuale e publike, si masë parandaluese duhet të zihet uji i pijshëm për 10 minuta.
Instituti sugjeron gjithashtu ruajtjen e higjienës personale dhe shmangien e kontaktit të drejtpërdrejtë me ujin nga përmbytjet. Duhet larë rregullisht duart me sapun dhe ujë të pastër dhe, si masë shtesë, të përdoren dezinfektantë. Ushqimi që ka rënë në kontakt me ujin e përmbytjes duhet nxjerrë ose hedhur, pasi mund të jetë i kontaminuar.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka apeluar gjithashtu që popullata të kujdeset për sigurinë e ushqimit, ujit të pijshëm dhe shëndetin e kafshëve. AUV nënvizon se nëse uji duket i turbullt, ai nuk duhet përdorur për pije ose gatim deri në përmirësimin e situatës dhe konfirmimin laboratorik se është i sigurt. Duhet mbajtur higjiena e duarve, veçanërisht pas kontaktit me ujin e përmbytjes, pas pastrimit dhe para përgatitjes së ushqimit; ushqimi i gatshëm duhet të mbahet i mbuluar për të mos pasur kontakt me ujin e përmbytjes ose ujërat e zeza.
Nga perspektiva e shëndetit publik, ISHP rekomandon që njësitë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, pasi të kenë kulluar ujin dhe të kenë tharë tokën në oborre, të vazhdojnë me pastrim mekanik të detajuar, duke hequr 2-3 centimetra të sipërfaqes së tokës (llumit) për shkak të ndotjes fekale. Pas këtij pastrimi duhet kryer dezinfektim dhe deratizim (DDD) nga një institucion i autorizuar i shëndetit publik sipas indikacioneve epidemiologjike.
Reshjet e dendura ditët e fundit shkaktuan rritje të niveleve të lumenjve dhe përmbytje lokale në disa rajone të vendit, veçanërisht në Manastir, Prespë dhe Ohër. Janë raportuar edhe rrëshqitje toke dhe dëmtime të infrastrukturës rrugore. Disa lumenj kanë dalë nga shtrati, ndërsa të tjerë paraqesin rrezik për përmbytje.