Izraeli dyshohet se ka përdorur municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht gjatë konfliktit 13-mujor në Liban, sipas fotove të mbetjeve të armëve të gjetura në pjesën jugore të këtij vendi.
Sipas “The Guardian”, imazhet janë analizuar nga gjashtë ekspertë të armëve dhe tregojnë mbetje të dy llojeve të ndryshme të municioneve thërrmuese izraelite, të zbuluara në tre zona të ndryshme përtej lumit Litani: Wadi Zibqin, Wadi Barghouz dhe Wadi Deir Siryan.
Janë këto provat e para që sugjerojnë përdorimin e këtij lloji armatimi nga Izraeli në gati dy dekada, që nga lufta e vitit 2006 në Liban. Municionet e gjetura përfshijnë raketat e drejtuara M999 Barak Eitan 155 mm dhe Ra’am Eitan 227 mm, të cilat nuk ishin përdorur më parë në ndonjë konflikt të dokumentuar.
Municionet thërrmuese përmbajnë nën-municione më të vogla që shpërndahen mbi një zonë të gjerë, krahasueshme me disa fusha futbolli. Rreziku i tyre qëndron në faktin se një përqindje e madhe e këtyre nën-municioneve nuk shpërthejnë menjëherë, duke përbërë rrezik të përhershëm për civilët.
Deri më tani, 124 shtete i janë bashkuar konventës që ndalon përdorimin, prodhimin dhe transferimin e municioneve thërrmuese. Megjithatë, Izraeli nuk është palë në këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk është i detyruar ta zbatojë.
Zëdhënës të ushtrisë izraelite nuk konfirmuan dhe as mohuan përdorimin e këtyre armëve, por theksuan se ushtria përdor vetëm armë të lejueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke synuar të minimizojë dëmet ndaj civilëve.
Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut, që filloi në tetor 2023, ka shkaktuar afro 4,000 viktima në Liban dhe rreth 120 në Izrael. Shumë zona në jug të Libanit janë ende të shkatërruara dhe Izraeli vazhdon me sulmet ajrore pothuajse çdo ditë, ndonëse një armëpushim u nënshkrua vitin e kaluar.