Ushtria izraelite ka kryer një sulm ajror mbi kampin palestinez të refugjatëve Ain al-Hilweh, pranë qytetit bregdetar Sidon në Liban. Sipas ushtrisë izraelite, objektiv i goditjes ka qenë një qendër stërvitore e Hamasit.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka njoftuar se si pasojë e sulmit kanë humbur jetën 11 persona dhe janë plagosur katër të tjerë.
Ky është një ndër rastet e rralla të goditjeve izraelite kundër objektivave të Hamasit në territorin libanez. Në korrik, një komandant i lartë i Hamasit u vra në një sulm në Tripoli, ndërsa në maj një tjetër komandant u vra në Sidon.
Izraeli ka intensifikuar sulmet në jug të Libanit, duke pretenduar se po lufton kundër Hezbollahut. Këto veprime përfaqësojnë shkelje të armëpushimit të vitit të kaluar.
Një tjetër incident është regjistruar të martën në qytetin jugor Bint Jbeil, ku një punëtor komunal libanez u vra pas një sulmi ajror izraelit me dron ndaj një automjeti. Edhe në këtë rast, Ministria libaneze e Shëndetësisë ka konfirmuar një të vdekur.