Izraeli godet objektiva të Hamasit në Gaza pas ‘shkeljes flagrante’ të armëpushimit

Izraeli thotë se ka nisur goditje ndaj objektivave të Hamasit në Gaza, duke vrarë të paktën nëntë persona, pas asaj që e quajti një ‘shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit’.

Autoritetet lokale shëndetësore në Gaza thanë se ka pasur tre sulme ajrore të ndara. Njëri prej tyre goditi një veturë në lagjen e dendur Rimal, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

Sipas të njëjtave burime, menjëherë pas sulmit ndaj veturës, forcat ajrore izraelite goditën dy objektiva të tjerë në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Të paktën katër persona vdiqën kur dy shtëpi u goditën me bombë në qytetin Deir Al-Balah dhe në kampin Nuseirat.

Ushtria izraelite tha se kishte pasur një ‘shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit’. Ajo pretendoi se një person i armatosur kishte kaluar në territorin e mbajtur nga Izraeli, duke shfrytëzuar ‘rrugën humanitare në zonën përmes së cilës ndihma hyn në Gazën jugore’.

Një zyrtar i Hamasit i hodhi poshtë akuzat si të pabaza, duke i quajtur ato një ‘justifikim për të vrarë’ dhe duke deklaruar se grupi ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.

Sulmet ajrore konsiderohen si një tregues i mëtejshëm i brishtësisë së armëpushimit me Hamasin, i cili është në fuqi që nga 10 tetori pas luftës dyvjeçare në Gaza. Izraeli tërhoqi trupat dhe fluksi i ndihmave në territor është rritur, por dhuna nuk është ndalur plotësisht.

Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se forcat izraelite kanë vrarë 316 persona në sulmet në Gaza që nga armëpushimi. Ndërkohë, Izraeli thotë se tre ushtarë të tij janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit dhe se ka goditur dhjetëra militantë.

Burimi: Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *