Në 200 shtete të botës ka filluar ‘Java e Ndërmarrësisë Globale’ e njohur si GEW (Global Entrepreneurship Week) me më shumë se 10 milionë pjesëmarrës. Kjo javë shënohet edhe në Kosovë, me mbi 30 aktivitete dhe 25 organizata e kompani pjesëmarrëse. Organizimi i kësaj jave në Kosovë mundësohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK), që është nikoqir zyrtar i javës dhe partner i Global Entrepreneurship Network (GEN). Ceremonia zyrtare e hapjes së #GEW2025 u organizua sot në Prishtinë, nën udhëheqjen e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe Innovation Centre Kosovo si nikoqir zyrtar i GEW për Kosovën. GEW filloi si lëvizje në vitin 2007, në kohën e krizës globale ekonomike, nga administrata e ish-Presidentit Amerikan, Barack Obama. GEW është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, që bashkon ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës, politikëbërës dhe akterë të tjerë, me qëllim zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin. Në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, gjatë javës 17-23 Nëntor do të organizohen mbi 30 ngjarje, nga 25 organizata e kompani partnere. GEW 2025 mbështetet nga TEB ShA, Coca-Cola HBC Kosova dhe British Council. Telegrafi.com është sponsor medial i #GEW2025.