Në më shumë se 200 shtete të botës ka nisur “Java e Ndërmarrësisë Globale” (GEW), e njohur për tërheqjen e mbi 10 milionë pjesëmarrësish. Kjo javë organizohet edhe në Kosovë, me më shumë se 30 aktivitete dhe 25 organizata dhe kompani pjesëmarrëse. Evenimenti në Kosovë bëhet i mundur nga Innovation Centre Kosovo (ICK), që është përfaqësues zyrtar i Javës dhe partner i Global Entrepreneurship Network (GEN). Ceremonia zyrtare e hapjes së #GEW2025 u zhvillua sot në Prishtinë, nën drejtimin e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Innovation Centre Kosovo. GEW nisi fillimisht në vitin 2007, gjatë krizës globale ekonomike, nën mbështetjen e administratës së ish-presidentit amerikan, Barack Obama. Kjo është ngjarja më e madhe e ndërmarrësisë në botë, ku ndërmarrësit, inovatorët, punëdhënësit, politikëbërësit dhe aktorë të tjerë bashkëpunojnë për zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mirëqenies. Në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, nga data 17 deri më 23 nëntor, do të zhvillohen më shumë se 30 ngjarje nga 25 organizata dhe kompani partnere. GEW 2025 mbështetet nga TEB ShA, Coca-Cola HBC Kosova, dhe British Council. Telegrafi.com është sponsor medial i #GEW2025.